Zbulohen detaje të reja nga tentative për të djegur me benzinë vajzën 16-vjeçare në Tiranë. E mitura ka treguar përballë një oficere të gjithë skenën tragjike, ku bashkëjetuesi i saj, Ardit Çela, së bashku me dy shokët e tij, kishin tentuar ta digjnin me benzinë në shkallët e pallatit. Çela ka pasur mosmarrëveshje me vajzën e re kohët e fundit për shkak të dyshimeve për tradhti. Ai e ka survejuar një ditë 16-vjeçaren duke e pikasur atë me një person tjetër në hotel.
Sipas dosjes hetimore që tashmë po ndiqet nga prokurori i Tiranës Saimir Hysa, autori kryesor i këtij krimi është Ardit Çela, djali i një ish-punonjësi policie në Tiranë.
Çela konsiderohet nga strukturat e komisariatit nr. 2 në Tiranë si kontingjent kriminal dhe i shoqëruar disa herë në polici.
Deshmia e 16 vjeçares
Tragjedia është shmangur nga vetë 16-vjeçaria e cila sapo ka ndier erën e benzinës, me të cilën e ka lyer bashkëjetuesi i saj, ka filluar të reagojë menjëherë.
“…unë kam parë Arditin që të më lagi në shkallët e pallatit me një bidon të vogël, të cilin e kishte mbushur me benzinë.
Benzinën e kam dalluar nga era, dhe jam trembur shumë. Arditi ka nxjerrë nga xhepi një çakmak dhe aty, e tmerruar jam larguar me vrap përmes pallateve duke kërkuar ndihmë…” – ka treguar në polici 16-vjeçarja.
Kjo e fundit i është drejtuar komisariatit nr. 2 në Tiranë duke depozituar kallëzim penal, dhe treguar të gjithë ngjarjes.
Pas denoncimit policia ka shoqëruar dhe arrestuar Ardit Çelën, për akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë dhe dy shokë të tij që kanë qenë së bashku në momentin e lyerjes me benzinë të 16-vjeçares.
