Federata Angleze e Futbollit ka vendosur që të ndalojë transmetimin e ndeshjeve të aktiviteteve që organizon në territorin rus, për sa kohë që vazhdon sulmi ndaj Ukrainës. Por për çudinë e të gjithëve, të katër ndeshjet çerekfinale të Kupës FA janë transmetuar drejtpërdrejt në televizionet ruse.
Në fakt, Federata Angleze nuk ka shitur drejtpërdrejt të drejtat TV të Kupës FA në televizionet ruse, me kompaninë IMG si ndërmjetëse. Por edhe pse bëri kërkesë që ato të mos transmetohen, televizionet ruse nuk e kanë pranuar atë dhe kanë vazhduar të shfaqin aktivitetin normalisht.
Tani në Angli kanë shqetësimin që ndeshjet e përfaqësueses angleze do të transmetohen rregullisht në Rusi duke argëtuar publikun e një vendi që po bombardon një tjetër. Anglia, ashtu si vende të tjera, i kanë kërkuar UEFA-s që menaxhon këto të drejta, që të ndërhyjë dhe të bllokojë transmetimin atje. Por organizata ndërkombëtare deri tani nuk ka mbajtur një qëndrim të prerë. Ajo ka lejuar që të transmetohen aktivitetet e saj si Liga e Kampioneve, Liga e Europës apo Liga e Konferencës, edhe pse u lajmërua se në transmetim ishin edituar pjesë kur shfaqej mbështetja ndaj Ukrainës, apo kur shfaqeshin parulla e flamuj ukrainas në stadiume.