Kreu i grupit parlamentar të PS-së Tualant Balla i është përgjigjur kritikave të deputetit të opozitës Ralf Gjoni lidhur me zgjatjen e afatit të fatkeqësisë natyrore. Shko të pyesësh Alimadhin i tha ai për deputetin që është prekur nga koronavirusi për të kuptuar si është situata.
“Sot 29 raste të reja të identifikuara si bartës të COVID-19. Z. Gjoni ju thatë që nuk është gjë e madhe, më ndjeni Bëjini telefon kolegut Alimadhi dhe pyeteni se si është të kalosh COVID-19 dhe pastaj hajde na shisni dënglat këtu se nuk është situatë e një fatkeqësie”, ka thënë Balla.
Ai tha se përdorimi i maskave do të jetë domosdoshmëri për të gjithë.
Përsa i përket kërkesës për zgjatjen e afatit të fatkeqësisë natyrore Balla tha se bëhet për operacionet humanitare për të asistuar familjet shqiptare që qeveria sipas tij ka ndërmarrë që në momentet e para të epidemisë në Shqipëri.