Mund të shpërthejë centrali bërthamor në Zaporizhzhia? Për të evituar çdo incident që mund të shkaktojë pasoja katastrofike, 42 vende nga e mbarë bota kanë nënshkruar një deklaratë përmes së cilës i bëjnë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj. Këto shtete thanë se prezenca e trupave ruse në këtë central ukrainas përbën “rrezik të madh”.
Deklarata dënon pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës dhe thotë se prezenca e forcave ushtarake ruse në central, pengon autoritetet që ta mirëmbajnë këtë uzinë dhe të respektojnë rregullat e sigurisë nga rrezatimi.
Situata në central ka rritur alarmin në Kombet e Bashkuara dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore. Si OKB-ja, ashtu edhe kjo agjenci kanë thënë se ekspertët ndërkombëtarë duhet të lejohen që ta vizitojnë centralin. Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për çmilitarizimin e zonës.
Deklarata është nënshkruar nga: Australia, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Japonia, Letonia, Litenshtajni, Lutania, Luksemburgu, Malta, Mali i Zi, Norvegjia, Zelanda e Re, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Koreja, Moldavia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara si dhe Bashkimi Evropian.
