Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot, 27 prill, në Greqi, ku një burrë 89-vjeçar ka sulmuar me armë zjarri dy institucione dhe ka plagosur disa persona, ndërsa më pas është arratisur nga vendi i ngjarjes.
Siç raportojnë mediat greke, i moshuari fillimisht hyri në një zyrë të EFKA-s (institucion i sigurimeve shoqërore) në zonën e Kerameikos në Athinë, ku doli në katin e 4-ërt dhe qëlloi me armë duke plagosur një punonjës në këmbë.
Më pas, ai mori një taksi dhe u drejtua drejt Gjykatës së Apelit në rrugën Loukareos. Atje, hapi zjarr brenda ambienteve të gjykatës dhe plagosi katër punonjëse femra të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Pas të shtënave, ai dyshohet se e fshehu armën brenda një fotokopjeje dhe u largua nga vendngjarja. Të plagosurit u transportuan në spital me ambulanca dhe ekipe të urgjencës mjekësore.
Sipas një dëshmie, një praktikante ligjore tha se dëgjoi të shtëna dhe pa kolegë që po vraponin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ajo shtoi se personi hyri në një zyrë, qëlloi disa herë në tokë, la armën dhe u largua me shpejtësi.
Autoritetet po vazhdojnë kërkimet për kapjen e tij.
