Ministrja për Fëmijët dhe të Rinjtë, Bora Muzhaqi ditën e sotme, bëri daljen e parë publike për mediat, ku menjëherë u pyet lidhur me rastin e rëndë të ndodhur në Fier, ku ndodhi ngjarja makabër e vrasjes së të miturit 8 vjeçar.
Muzhaqi në daljen e parë dukej e relaksuar dhe e buzëqeshur ndërsa pasi u pyet nga gazetarët për ngjarjen e rëndë, tha se nuk kishte kohë dhe se i duhet të largohej. Ndërsa dalja e saj ngjalli shumë reagime, ku u kërkua edhe që të dorëhiqej, Muzhaqi si duket e ka kuptuar figurën që bëri në daljen e mëparshme dhe ka kërkuar ndjesë nëse është keqkutpuar nga publiku.
Reagimi i plotë nga ministrja për fëmijët dhe të rinjtë, Bora Muzhaqi:
Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune.
Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja.
Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time.
