Chiara Ferragni dhe bashkëshorti i saj Fedez e kanë kthyer jetën e tyre në serial, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Ata janë mbase familja më e famshme në Instagram, ku duket se tregojnë gjithçka. Por nuk qenka kështu.
Pas ‘Kardashianëve’ tashmë radha është e ‘The Ferragnez’. Kështu quhet seriali i çiftit të famshëm që do të transmetohet në dhjetor të 2021-it. Vetë blogerja konfirmoi lajmin përmes një postimi në Instagram, ku tha se në dhjetor të këtij viti do të lançohet seriali me 8 episode që tregon momente të papublikuara më parë nga jeta e tyre brenda familjes dhe jo vetëm.
‘Ne e bëmë! Familja ime dhe unë jemi krenarë të njoftojmë serialin tonë të ri televiziv: The Ferragnez. Do të dalë në dhjetor 2021 në të gjithë botën. Mezi pres të ju them më shumë, por ne jemi shumë të emocionuar për këtë”- shkruan Chiara.
Çifti do të jetë protagonist, bashkë më dy fëmijët e tyre, Leon dhe Vittoria-n, por pjesë e serialit do të jetë gjithë familja e madhe, që nga motrat e Chiara-s, e deri tek gjyshja e reperit Luciana, që është jo pak e famshme për Instagramin.
“Viti i fundit ka qenë i mbushur me shumë emocione, si nga ana profesionale ashtu dhe nga ndryshimet në familjen tonë. Festivali i Sanremo-s, lindja e Vittoria-s, pandemia që vazhdon të ndryshojë jetën e të gjithëve ne. Eshtë një serial me ngjarje që kanë peshë dhe ndikime të ndryshme, por që në fund të ditës na kanë dhënë mundësinë të marrin kohën tonë për të punuar me veten si çift dhe si familje. Ka qenë një vit që zor se do ta harrojmë”, është shprehur Chiara.
Ndaj, “fansat” e tyre mezi po e presin, për të ditur më shumë për ta, edhe përtej Instagram-it…