Pas 7 muajve nga ngjarja e rëndë ku 14- vjeçari Martin Cani u qëllua për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari e tij, sot janë publikuar pamjet e krimit. Ky veprim ka bërë që kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi ti bëjë thirrje televizioneve që të mos transmetojnë pamjet e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, që përveçse shkelin etikën njerëzore janë edhe në shkelje të kodeve te profesionit dhe legjislacionit në fuqi.
”Po ndjek me shumë shqetësim rrjedhën dhe shpejtësinë e shpërndarjes së një videoje që na kthen pas, në ngjarjen e rëndë që ndodhi në kryeqytet, nëntorin e vitit të kaluar, viktimë e së cilës mbeti një 14-vjeçar. Disa media po rendin të publikojnë pamjet e momentit të para dhe pas vrasjes së tij.
E mirëkuptoj ndjeshmërinë e lartë mbarëshoqërore për ngjarjen që përbën motiv të mjaftueshëm angazhimi edhe për profesionistët e medias në përgjithësi, dhe asaj audiovizive në veçanti, të cilët kanë informuar dhe vazhdojnë të jenë të interesuar për ngjarjen apo hetimin që erdhi pas saj. E mirëkuptoj edhe dëshirën e mirë të tyre për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thekson Krasniqi.
Sipas Krasniqit gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet kurrë përpara etikës dhe zbatimit të ligjit që është plotësisht i qartë dhe i rreptë në këtë drejtim. ”Publikimi i pamjeve të tilla përbëjnë abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore. Në emër të interesit më të lartë të fëmijës, respektit ndaj dhimbjes së familjarëve, ndjeshmërisë së mbarë opinionit publik shqiptar dhe detyrimit shoqëror gjithëpërfshirës, i bëj thirrje çdo OSHMA-je të mos transmetojë pamje të tilla”, theksoi Krasniqi.