Vetë ylli i Argjentinës dhe 7-herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi ka mjaft pasiguri për të ardhmen e tij me përfaqësuesen argjentinase pas përfundimit të Kupës së Botës së këij viti në Katar.
“Pleshti” po kalon një sezon të vështirë në nivel klubesh, megjithatë ai tundi një herë rrjetën në përballjen e së premtes pasi skuadra e tij mundi Venezuelën 3-0 në kualifikueset e Kupës së Botës.
Në një deklaratë që dha pas ndeshjes me Venezuelën, ylli i futbollit shpjegoi se ai do të duhet të rivlerësojë gjërat pas Kupës së Botës në Katar:
“Nuk e di se çfarë do të bëj pas Kupës së Botës. Unë jam duke menduar për atë që do të vijë. Pas Katarit do të më duhet të rivlerësoj shumë gjëra.”
Më tej, Messi shtoi se është i lumtur që është në kampin e ekipit kombëtar pasi ata ngritën trofeun e tyre të parë ndërkombëtar në gati tre dekada, kur fituan Kupën e Amerikës në 2021.
“Ka një kohë që jam i lumtur këtu, që para se të fitoja Kupën. Jam mirënjohës për të gjitha këto që më bëjnë të ndihem sa herë që vij në Argjentinë.”
Këtë qershor, Messi do të mbushë 35 vjeç dhe kur u pyet nga gazetarët për të ardhmen e tij me kombëtaren argjentinase pas Kupës së Botës 2022, ai tha:
“Nuk e di, e vërteta është që nuk e di. Mendoj për atë që po vjen, e cila është afër, Ekuador (të martën). Ndeshjet përgatitore në qershor dhe shtator. Le të shpresojmë që këto të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Por me siguri pas Kupës së Botës shumë gjëra do të ndryshojnë”.
