Aplikacioni i njohur “Tik-Tok” ka njoftuar se po pezullon transmetimin e drejtpërdrejtë ose “video live” si dhe përmbajtjen e re në shërbimin e tij video në Rusi. Gjithashtu, kompania po shqyrton implikimin e sigurisë të një ligji të ri që kërcënon të burgosë këdo që autoritetet mendojnë se kanë përhapur lajme “të rreme” për forcat e armatosura. Platforma gjigande garanton se shërbimi i saj i mesazheve brenda aplikacionit nuk do të ndikohet.
“Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë rrethanat në zhvillim në Rusi për të përcaktuar se kur mund të rifillojmë plotësisht shërbimet tona me sigurinë si përparësinë tonë kryesore,” shprehet kompania.
Ashtu si “Tik-Tok”, edhe një numër i konsiderueshëm i organizatave ndërkombëtare të medias kanë pezulluar punën e tyre në Rusi, duke përmendur shqetësimet mbi sigurinë e punëtorëve të tyre me ligjin e ri. Lista përfshin media si “BBC”, “Bloomberg News”, “CBC” të Kanadasë, transmetuesit publikë gjermanë “ARD” dhe “ZDF” dhe “Rai” të Italisë, ndër të tjera. Ndërkohë qeveria ruse ka bllokuar “Facebook”.
