Vendimi i familjes, ofertat, telefonatat, bisedimet dhe marrëveshjet në pritje. Jo vetëm kaq, por Lila ndalet edhe te Tirana, ish-skuadra e tij dhe se si mund të rikthehet të jetë pretendente. Bën jo pak të ëndërrojë tifozerinë bardheblu, jo vetëm për vendimin për t’u rikthyer te 24 herë kampionët, por mbi të gjitha teksa tregon me bindje se do të rikthehet Tirana e madhe. Momenti më i bukur në karrierë, goli special, momenti më i vështirë dhe dasma e Elseid Hysajt janë disa nga temat që flet Lila.
Lila, përfunduat me Pas Janinën. Pas 7 vitesh e gjysmë, pse u larguat?
Kam kaluar pjesën më të mirë të karrierës te Janina, sepse u rrita bashkë me klubin. Në vitin 2011, kur u ngjit në Superligë nga Kategoria e Dytë, në atë periudhë i jam bashkuar edhe unë. Gjatë kësaj kohe kemi shkruar historinë, duke shkuar edhe në Kupat e Europës për herë të parë në historinë e klubit. Ishte një cikël të cilit po i vinte fundi. Duke parë edhe kurbën në rënie të skuadrës, pasi ra në Kategorinë e Dytë, edhe për karrierën time personale nuk doja që të luaja atje dhe menduam se do të ishte më mirë që t’i jepnim fund bashkëpunimit.
Si ishte ndarja?
Si shok, si mik me të gjithë. Klubi donte të qëndroja, por ishte fund prej xhentëlmenësh me presidentin. Gjej rastin ta falënderoj, bashkë me familjen e tij, pasi gjatë këtyre viteve kanë qenë shumë korrektë.
Rregulli në Greqi është i tillë që pas pesë vitesh, mund të marrësh pasaportën greke. Ju, a e keni marrë atë?
Jo, nuk e kam marrë pasaportën greke. Ligjet kështu e thonë, pasi e kam dëgjuar këtë edhe nga disa miq në Greqi. Megjithatë, nuk e kam marrë pasaportën greke, jo se kam ndonjë gjë me të, por vetëm kam menduar që më mjafton pasaporta shqiptare.
Çfarë ndodhi me dëmtimin? Kryet një ndërhyrje kirurgjikale?
Jo, nuk ishte një operacion. Në fakt, ishte vetëm nj gjilpërë në gju për shkak të problemeve që kisha në menisk.
Si po shkon rikuperimi?
Është një fazë në të cilën po punoj përditë. Shpresoj që të ecë mirë deri në fund dhe tani jam gati pranë riaftësimit 100%.
Çfarë do të ndodhë me karrierën tuaj?
Menjëherë sapo e mbylla me Pas Janinën, mora një telefonatë nga një skuadër në Superligën greke. Pas Lamia dhe gjithashtu një tjetër skuadër në Athinë, një emër i madh, por nuk jam i autorizuar që të tregoj emrin e saj, më kanë kontaktuar. Oferta e Pas Lamias ishte konkrete.
Çfarë vendosët?
I kam kërkuar një javë kohë që të mendohem se çfarë do të bëj. Realisht nuk i dihet. Kam pasur bisedime edhe në Shqipëri.
Me cilën skuadër?
Tirana është një prej ekipeve me të cilat kam diskutuar, duke ditur që unë atje ndihem si në shtëpinë time. Ndaj ishte edhe një detyrim moral apo edhe nga ana shoqërore, që të bisedoja me presidentin Halili. Përveçse ai është presidenti i klubit, është edhe miku im personal.
Sa mund të shpresojnë tifozët e Tiranës që do të riktheheni bardheblu?
(Qesh…) Pse jo? Kurrë mos thuaj kurrë dhe aty, jua thashë, është shtëpia ime. E ndiej veten shumë mirë. Patjetër! Pse jo, që të mos jetë si mundësi. Mirëpo, siç klubi i Tiranës është profesionist, edhe unë jam një lojtar profesionist dhe do të shohim të gjithë parametrat.
Si janë gjasat?
Realisht nuk i dihet. Nëse do të ishim të kënaqur të dyja palët në mënyrë reciproke, pse jo. Tirana është gjithmonë në zemrën time.
Jeni larguar si kapiten, e doni sërish shiritin në rast rikthimi?
(Qesh…) Në karrierën time, kurrë nuk ka ndodhur që të synoj grada. Jam futur gjithmonë në fushë me kokën poshtë. Ka qenë parimi im që të futem me kokën ulur dhe të dal me kokën lart pas ndeshjes. Nuk e mendoj fare këtë gjë. E vërtetë që jam larguar si kapiten, por edhe po të rikthehem, aty kanë vazhduar njerëz të tjerë të luajnë dhe të jenë kapitenë. Njerëz të nderuar që e kanë respektuar fanellën.
Si kthehet Tirana sërish pretendente, duke lënë mënjanë vendimin tuaj?
Po insistoni në këtë çështje dhe unë po ju them që në rast se do ta mbyll pozitivisht marrëveshjen me Tiranën, do të huazoj një frazë të presidentëve amerikanë. Ata thonë: “Le ta bëjmë Amerikën të madhe”. Unë do të them: “Le ta bëjmë Tiranën të madhe”.
Sikur dribluat te pjesa e rikthimit të Tiranës pretendente…
Jo, ju përgjigjem menjëherë. Përderisa është 100-vjetori i klubit në fund të këtij sezoni, pra vitin tjetër, unë mendoj që përgjigjja është e thjeshtë: Të vijnë lojtarët më të mirë. Të ketë kushtet më të mira sepse Tirana ka emrin. Dhe, kur ke emrin, bëhet më e lehtë që bashkë me kushtet e mira, lojtarët të vijnë. Ndaj, mendoj se është diçka që mund të bëhet dhe Tirana të kthehet e madhe. Jo vetëm në arenën Kombëtare, por edhe në atë europiane.
Sepse, shembulli më i mirë është Skënderbeu që luajti dy herë në kupat e Europës. Si nga ana futbollistike që i dha tonin futbollit shqiptar, por edhe në aspektin ekonomik, duke qenë se futbolli është bërë biznes. Patjetër që duhet të marrë lojtarët më të mirë që janë në qarkullim. Por, përveç kësaj, duhet të investojë shumë edhe tek akademia sepse është e ardhmja. Mbi të gjitha, Tiranës nuk duhet t’i mungojë ADN-ja e saj: shpirti i garës dhe në çdo ndeshje të futet për fitore. Nëse do ta ruajë këtë zjarr që ka Tirana, rikthehet.
Te Tirana, në rast rikthimi, ku doni të luani, mesfushë apo mbrojtje?
Mund të konsiderohet një pyetje e përshpejtuar, sepse jua thashë që nuk është vendosur. Megjithatë, nuk është çështje diçka e tillë, sepse unë vetëm dorezat nuk i kam veshur, por luaj në çdo rol.
Gaboj nëse them se Andi Lila është tifoz me Tiranën?
Jo, fare. Është e vërtetë.
Si jeni ndier kur Partizani fitoi titullin kampion?
(Qesh…) Kam shumë shokë që janë te Partizani: Alban Hoxha, Trashi e të tjerë. I kam uruar, sepse jemi profesionistë. Në fund fare, ai që del kampion, e meriton sepse ka luftuar gjithë vitin. Nuk është rastësi, sepse në një ndeshje prej 90 minutash mund të ndodhë gjithçka, ama në një kampionat me katër faza, normalisht je më i miri kur ke fituar kampionatin. Më të fortit duhet t’i japësh dorën.
Në lajmet e merkatos është përmendur edhe Shkëndija e Tetovës që mund të luani atje që në Kupat e Europës. Sa të vërteta janë këta zëra?
Jam shumë i nderuar që emri im është përmendur te një ekip që simbolizon të gjithë shqiptarinë, duke ditur që Shkëndija është skuadër me shumë vlera. I ka dhënë tonin kampionatit maqedonas apo edhe futbollit shqiptar në tërësi. Mirëpo, nuk kam asgjë konkrete. Pse jo? “Kurrë mos thuaj kurrë” është një shprehje. Unë jam i hapur.
Cili është goli më i bukur në karrierë?
Të them të drejtën e kam shumë pishman që nuk kam shënuar kurrë me Kombëtaren, edhe pse kam luajtur mbi 70 ndeshje. Golat janë të gjithë të bukur, sepse është ndjesi e jashtëzakonshme. Ama, golashënues isha në periudhën e Tiranës, por në Janinë të gjithë golat i kam shënuar nga larg, nga jashtë zone, ndaj më janë dukur të bukur të gjithë.
Prisja të thoshit golin ndaj Interit…
Keni të drejtë, sepse ishte si të thuash qershia mbi tortë ai gol, sepse është ekipi më i madh ndaj të cilit kam shënuar. Ishte ndeshja ku kam luajtur për herë të parë në “San Siro”. Një stadium të cilin e kam pasur ëndërr që fëmijë. Ai ndaj Interit vërtet që meriton të thuhet më i bukuri, sepse kam qenë tifoz që i vogël me Interin.
Foto juaj e profilit në “Whats App” është sindikata e futbollistëve. Si është e vërteta me krijimin e saj?
Është e vërtetë, por nuk dua që të prononcohen…
Me çfarë ndatë në rrjete sociale te dasma e Hysajt “e dogjët” apo jo?
Unë kam munguar në shumë dasma, sepse kam qenë i angazhuar me ndeshje apo stërvitje. Ama jam 33 vjeç dhe kjo ishte “top”. Ishte dasma më e bukur që kam parë. Çifti shkëlqente, dasma shumë e bukur dhe në kalanë e Rozafës u bë atmosferë e jashtëzakonshme. Ishte diçka përrallore. Në fakt, unë nuk para kërcej, por atmosfera më bëri të dilja edhe nga natyra ime dhe kam kërcyer gjatë gjithë kohës. Dua vetëm t’i uroj jetë të lumtur çiftit, Elseidit bashkë me bashkëshorten e tij, të bëjnë sa më shumë fëmijë dhe ai të transferohet në një klub elitar sepse e meriton. Është futbollist i jashtëzakonshëm, përveçse është shoku im.23
Kush është shoku juaj më i mirë?
Këtë nuk jua them (qesh…). Do të futesha në sherr me të gjithë. Kam pa fund miq e shokë, ndaj nuk mund të veçoj emra.
Familja ndikon në zgjedhjet e futbollistëve. Për ju, çfarë mendon ajo për rikthimin në Shqipëri ose çfarë sugjerimi ka për të ardhmen?
Shumë faleminderit për pyetjen, sepse familja është e para dhe mbi gjithçka. Fëmijët po më rriten. Djali lindi në Itali, u rrit në Greqi dhe për pushime shkon në Shqipëri. Do të flas edhe me familjen se ku do të stabilizohemi dhe nuk kanë qenë kurrë pengesë për karrierën time. Më kanë qëndruar në krah gjithmonë. Do të vendosim bashkërisht.
Si e konsideroni rikthimin në Shqipëri, kthim pas për ju apo jo?
Nuk do të isha pishman fare nëse rikthehem në Shqipëri. Unë jam lindur dhe rritur në Shqipëri, jo jashtë vendit. Ndaj, normalisht që nuk do ta quaja hap pas, por vazhdim karriere. Të ardhmes nuk i dihet kurrë. Ndoshta do të ishte diçka e mirë, edhe për familjen, edhe për mua.
Me kaq shumë plane për në Shqipëri, nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’ju pyes për detajet: Kur do të prezantoheni? Sa është kontrata etj.
(Qesh…) Jo, nuk jua them dot këtë, por normalisht do t’ju lajmëroj. Për momentin jam në Greqi. Do t’ju lajmëroj nëse do të ketë të reja…
Cili është momenti më i bukur në karrierë?
Më i bukuri që nuk do ta harroj kurrë, si kornizë për mua, do të jenë ndeshjet e Europianit. Kam luajtur dy ndeshje si titullar. Ishte eveniment i jashtëzakonshëm i cili nuk është i lehtë për t’u përsëritur. E kam thënë që e mendoja që në fëmijëri që gjenerata ime ta arrinte e para këtë gjë dhe ia arriti qëllimit.
Po momenti më i vështirë?
Në vitin 2015, kur Parma falimentoi dhe unë ngela në mes të katër rrugëve. Nga një ëndërr e bukur që luajta në Itali, në 13 ndeshje shënova 2 gola vetëm për një fazë, mendova se e meritoja të qëndroja sërish në Serinë A. Mirëpo problemet që më ndodhën me klubin dhe shkoi në kategoritë më poshtë dhe moskorrektesa e Rezart Taçit ishte pika më e vështirë e karrierës sime sepse ai më tradhtoi. Përveç të gjithave, humba një vit punë, një vit djersë dhe një vit sakrifica. Gjëra që më premtoi se do të më përgjigjej, por ai akoma vazhdon që të jetë i fshehur dhe nuk përgjigjet as në telefon.