Tirana dhe Bledi Shkëmbi “ndajnë rrugët” pas një sezoni me ulje-ngritje. Takimi i shumëpritur mes presidentit të bardhebluve, Refik Halili dhe trajnerit Bledi Shkëmbi solli vendimin final. Bledi Shkëmbi e ka mbyllur me Tiranën, ndërsa këta të fundit duhet të gjejnë një tjetër trajner për sezonin 2025-2026.
Prej kohësh, e ardhmja e Shkëmbit nuk ishte ndarë përfundimisht dhe pritej një diskutim final. Dhe pse ndodhej nën kontratë, “Panorama Sport” mëson se ka qenë një ndarje konsensuale mes palëve në takimin e djeshëm.
TAKIMI – Presidenti Refik Halili në takim i ka deklaruar Bledi Shkëmbit, se dëshiron që ta mbajë në skuadër edhe për sezonin tjetër. Trajneri, nga ana tij, ka qenë dakord për të qëndruar bardheblu, por i ka parashtruar se ekipi duhet të nisë punën, ndërsa skuadra duhet të jetë e plotë në 1 korrik. Shkëmbi ka kërkuar mbajtjen e lojtarëve cilësorë, ndërsa Halili ka kërkuar edhe pak kohë që të ketë një vizion të qartë si për lojtarët që do të mbajë, ashtu edhe për merkaton që do të bëhet ,si dhe ka garantuar trajnerin për një ekip cilësor. Shkëmbi nuk ka pranuar që të gjendet në situatën e vitit të shkuar me një skuadër pa numra dhe pas shumë diskutimesh është arritur një ndarje konsesuale.
Thënë shkurt, Tirana ka kërkuar kohë për projektin, kohë që Shkëmbi nuk ka dashur ta japë, pasi sipas tij për një skuadër cilësore është shumë vonë. Në këto kushte, palët mbyllin me marrëveshje dhe shtrëngim duarsh një sezon pothuajse të plotë, me një interval të shkurtër para dhe pas vitit të ri. Tirana do të vendoset tashmë nën kërkimin e trajnerit të ri. Bardheblutë para se të riemëronin Shkëmbin, patën Gugash Maganin në krye. Ndërkohë kanë mbetur edhe disa ditë nga fillimi i përgatitjeve për sezonin e ri. Kryeqytetasit rikthehen në fushë për t’u stërvitur sërish nga 1 korriku (gjithmonë nëse ndodh). Fakt është se Refik Halili brenda dy sezonesh ka ndryshuar 7 herë stolin, duke sjellë pesë emra të rinj.
NJË HISTORI ME ULJENGRITJE – Në 5 qershor, KF Tirana prezantoi Bledi Shkëmbin si trajnerin e ri. 44- vjeçari korçar asokohe kish lënë drejtimin e Kombëtares U-17, duke zgjedhur një punë të përditshme me klubin më të titulluar në Shqipëri. Trajneri u shkarkua në 4 nëntor për shkak të rezultateve të dobëta në këtë fillim sezoni pas 14 ndeshjesh. Asokohe, Shkëmbi u largua pas nëntë barazimeve, katër humbjeve dhe vetëm një fitoreje, në të gjitha garat.
Menjëherë u emërua Gugash Magani, i cili nuk e mbylli janarin. Bledi Shkëmbi u rikthye si trajner i Tiranës pas largimit vetëm 2 muaj më pas. Riemërimi nga klubi bardheblu erdhi, pasi fillimisht u njoftua ndërprerja e bashkëpunimit me trajnerin Gugash Magani, i cili dha dorëheqjen pas disfatës së rëndë 0-4 kundër Egnatias. Shkëmbi drejtoi skuadrën deri në fund të kampionatit, duke e renditur ekipi bardheblu në vendin e tetë(zona “play out”), më pas fitorja me Pogradecin e mbajti në kategori ekipin 26 herë kampion.
Në 18 qershor, Shkëmbi u largua me konsensus nga bardheblutë. SHIFRAT – Nëse në sezonin 2016-2017, Tirana grumbulloi 39 pikë dhe ra nga Superiorja, të njëjtën gjë bëri edhe këtë sezon. Mori vetëm 39 pikë, por e rrezikoi kategorinë, duke shpëtuar nga sfida “play out”. Nga sezoni i fundit, Tirana është 11 pikë më pak, ndërsa nga dy sezone më parë, 28 pikë. Për të mos folur për vitet e titullit, respektivisht 34 dhe 31 pikë. Asnjëherë që prej kthimit në kategori, Tirana nuk kishte marrë kaq pak pikë. Edhe në dy kampionatet që nuk ka shkuar në Europë, ka grumbulluar 47 dhe 58 pikë, çka tregon se shifrat kanë qenë shumë të dobëta dhe kjo skuadër ka zhgënjyer plotësisht.
