Tirana regjistron një humbje dramatike në Turqi kundër Beshiktash 3-1 për ndeshjen e parë të raundit të dytë në UEFA Conference League.
Bardheblutë nuk arritën të bënin shumë në Stamboll përballë superfuqisë turke, skuadër e ndërtuar për të synuar kampionatin dhe diferencat u panë qartë në fushën e lojës por në fraksionin e dytë gjetën një gol shumë të rëndësishëm që injekton optimizëm për ndeshjen e kthimit.
Dy golat e vendasve në pjesën e parë u shënuan nga Bulut dhe Muleka në minutat 21 dhe 42, ndërsa Tirana nuk e shënjestroi asnjëherë portën gjatë pjesës së parë. Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, tabloja nuk ndryshoi shumë por Beshiktash hasi më shumë vështirësi për t’u imponuar fizikisht ndaj ekipit të Orges Shehit që rezistoi dhe në minutën e 83 braziliani Kainja shkurtoi shifrat.
Gol shumë i rëndësishëm që mban gjallë shpresat e bardhebluve dhe rikthen në lojë Tiranën edhe pse në fund pësoi edhe të tretin.
Tashmë pjesa e dytë e përballjes do të përqëndrohet një javë më vonë në “Air Albania Stadium” ku 26 herë kampionët e Shqipërisë do të tentojnë mrekullinë edhe pse do të jetë shumë e vështirë që të përmbushin misionin.