Dinamo kërkon trofeun e 34-t në histori. Pasi ka marrë 18 tituj në elitë, 13 Kupa Shqipërie dhe 2 Superkupa, e do edhe atë të Kategorisë së Parë. Këtë e thotë edhe Miklovan Pere, ndonëse saktëson që do të vlente vetëm për prestigj.
Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, kapiteni i kryeqytetasve zbulon se janë gati për ta kaluar Egnatian dhe kanë marrë masat që të mos shkojnë deri te penalltitë. Qendërmbrojtëse flet edhe për të ardhmen e tij, ndërsa konfirmon se në fund të muajit i skadon edhe kontrata. E megjithatë, hapur jep sinjale rinovimi.
U mbyll një sezon plot luhatje, jeni më të lehtësuar tani?
Mendoj se ka qenë një sezon shumë i mirë, derisa arritëm objektivin që i kishim vënë vetes. Pas 9 vitesh ngjitim Dinamos në elitë.
A keni pasur ndonjëherë frikë se ndoshta nuk do të realizohej ky objektiv?
Nuk e kemi menduar kurrë që do të dështonim dhe as frikë. Kishim besim se do ta realizonim misionin dhe ia dolëm.
Në cilën ndeshje keni pasur më shumë emocione?
Nuk kam pasur ndonjë ndeshje me emocione, thjesht gjithmonë kemi hyrë në fushë shumë të qetë dhe nuk më ka interesuar se cili do të ishte kundërshtari i radhës.
Po ndeshja ku keni vuajtur më shumë?
As kjo nuk ka ndodhur, në fakt. Nuk kam ndier ndonjë vuajtje të madhe. Sa e njihni Egnatian, kundërshtarin tuaj të finales? Kundërshtarin nuk e njohim mirë, por e vlerësojmë. Edhe ata kanë vuajtur jo pak për t’u ngjitur në elitë, pasi iu deshën 16 vite për t’u kthyer.
Meritojnë respekt, pa dyshim, pasi jo më kot kryesonin Grupin e Jugut. Shpresoj ta mposhtim dhe të tregojmë që e meritojmë titullin. Ne duhet ta fitojmë patjetër këtë finale.
Sa e rëndësishme është kjo finale?
Është vërtet shumë e rëndësishme për sa i përket prestigjit. Është si “qershia mbi tortë” dhe shpresojmë të dalim fitimtarë nga kjo finale.
A jeni të përgatitur që finalja e së shtunës mund të shkojë edhe me penallti?
Normalisht që jemi përgatitur për gjithçka. Ndeshja mund të shkojë edhe 120 minuta dhe fati mund të vendoset edhe nga penalltitë. Ne do japim maksimumin për të mos e lejuar kurrë që ta lëmë çdo gjë në dorën e fatit. Shpresojmë ta fitojmë gjatë kohës së rregullt.
Sa larg mund të shkojë Dinamoja në elitë sezonin tjetër?
Do t’u kthehet pretendimeve të dikurshme, si për titullin dhe zonën “Euro”.
Çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Peres, jeni nën kontratë?
Kontrata ime skadon më 30 maj, në fakt. Do të ulem të bisedoj me drejtuesit dhe shpresoj të vazhdojmë bashkëpunimin.