Në SPAK është depozituar një tjetër kallëzim për ish-presidentin Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin. Kallëzimi është bërë nga avokati Idajet Beqiri, që kërkon hetim ndaj Metës për “fshehje të ardhurash” dhe “kurrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. Beqiri thotë sesi drejtues i Partisë së Unitetit Kombëtar, ka siguruar të dhëna që ngrenë “dyshime të arsyeshme se nga ana e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, janë konsumuar veprat penale të cituara në objektin e kallëzimit”.
Po ashtu avokati thekson se faktet dhe dokumentet që zotëron për Metën dhe Kryemadhin, të cilat do t’i depozitojë në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion. Sipas Beqirit, Meta, Kryemadhi dhe fëmijët e tyre kanë kryer trajtime estetike që arrijnë vlera marramendëse në një klinikë private në San Marino, “Casa di Cura Private Domus Medica”. Një prej mjekëve të këtij spitali është Silva Shametaj/Ruli, që siç thotë avokati, është mike e familjes.
Të dhënat e çiftit gjenden në kartelat mjekësore të spitalit dhe provohen me hyrje-daljet e sistemit TIMS, thotë ai dhe përmend një rast kur trajtimin estetik e ka bërë deputetja. Sipas transfertës së datës 4 qershor 2018, paguar nga një llogari anonime nga një bankë offshore në Qipro, trajtimi kap vlerën e 287.650 euro. Asnjëra nga këto pagesa nuk është deklaruar në deklaratat vjetore të tyre, që do të thotë se kanë paguar me para të përfituara nga aferat korruptive, që i kanë futur në bankë në rrugë të jashtëligjshme. Si në regjistrat financiarë të spitalit, pagesat bankare të spitalit, kartelat mjekësore dhe hyrje-daljet në sistemit TIMS, rezulton se kjo shtetëse ka bërë ndërhyrje dhe pagesa në vlera të mëdha në spitalin e San Marinos.
Ndërsa Ilir Meta, thotë Beqiri, gjatë viteve 2013-2014, ka kryer ndërhyrje estetike në Vjenë, me qëllim dobësimin. “Ndërhyrjet janë kryer nga shefi i pavionit të obezitetit në spitalin e Vjenës, Gerhard Prager. Janë shumë të kushtueshme dhe kërkohen trajtime të mëvonshme për të mbajtur në kontroll estetikën”. As këto ndërhyrje nuk janë deklaruar në deklaratat periodike vjetore 2013-2014, thotë avokati, ç’ka ngre dyshime këto pagesa janë bërë nga para të gjetura në mënyrë të jashtëligjshme.