Për të gjithë ata punonjës policie që dolën pozitivë në testin e parë të drogës, është vendosur që t’i nënshtrohen një tjetër kontrolli. Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ekzaminimi i dytë do të kryhet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Sot është nënshkruar sot marrëveshjja e Bashkëpunimit mes Drejtorit të Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe kreut të Institutit të Mjekësisë Ligjore Bledar Xhemali. Në fjalën e mbajtur prej tij, Nano u shpreh se misioni i tij për të pastruar policinë e shtetit nga ata punonjës që abuzojnë me detyrën duke përdorur lëndë narkotike do të vazhdojë.
“Që në ditët e mia të para në këtë detyrë jam fokusuar në ndërmarrjen e nismave ligjore për të pastruar Policinë e Shtetit nga ata punonjës që abuzojnë me detyrën duke qenë përdorues të lëndëve narkotike.
Kjo marrëveshje shpreh vendosmërinë time dhe të institucionit që unë përfaqësoj për të pasur punonjës policie dinjitozë, me integritet moral dhe profesional, si dhe të përkushtuar në përmbushje të detyrës dhe në shërbim të qytetarëve.
Me anë të kësaj marrëveshjeje, Policia e Shtetit dëshmon gjithashtu besimin e saj ndaj institucionit të IML-së dhe ndaj profesionalizmit me të cilin stafi juaj do të kryejë këto analiza dhe do të ruajë privatësinë e të dhënave të punonjësve të Policisë”, tha Nano.
