Zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, Daniel Gjura, është arrestuar mbrëmjen e djeshme, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të paligjshëm të pronave në këtë qark.
Arrestimi i tij vjen vetëm pak ditë pas operacionit të Policisë së Dibrës, i cili zbuloi një rrjet të dyshuar të përfshirë në falsifikimin e dokumenteve dhe përfitimin e pronave përmes procedurave të paligjshme.
Ndaj Gjurës, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa ai akuzohet për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim.
Më 17 qershor, pas një hetimi që zgjati shtatë muaj, Policia ekzekutoi 14 masa sigurie ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, si edhe ndaj disa personave të tjerë të dyshuar se kanë përfituar nga dokumente të falsifikuara.
Sipas hetimeve, punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Kadastrës Dibër, në bashkëpunim me një notere dhe persona të tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentacionin dhe kanë kryer veprime administrative në kundërshtim me ligjin për të kaluar prona në favor të shtetasit me iniciale T. D. dhe familjarëve të tij.
Përveç funksionit aktual si zëvendësdrejtor i Kadastrës Dibër, Daniel Gjura ka mbajtur më parë edhe detyrën e drejtorit të këtij institucioni. Ai ishte gjithashtu kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
