Vladimir Marugov ishte me të dashurën e tij në një kabinë sauna, kur u sulmua nga persona ende të paidentifikuar të cilët e dhunuan dhe torturuan barbarisht. Dy personat e maskuar e qëlluan Marugovin me shigjetë, para se të largoheshin në drejtim të paditur.
Ndërsa e dashura e tij mundi të largohej duke u hedhur nga dritarja e kabinës. Ajo më pas telefonoi policinë.
Hetuesit gjetën trupin e pajetë dhe harkun pranë, ndërsa thanë se kishte vdekur si pasojë e gjakderdhjes. Marugov njihet si pronar i fabrikave më të mëdha të përpunimit të mishit në Rusi.
Sulmi ndodhi në zonën ku ai banonte, rreth 40 kilometra në periferi të Moskës.
Mediat shkruajnë se Marugov kishte konflikte pronësie me ish-gruan dhe ishte në vështirësi ekonomike. Djali 25-vjeçar i tij nga martesa e parë humbi jetën në një aksident me motor vitin e kaluar.
