Jacques Delors mbush sot 94 vjeç dhe ka qenë një nga drejtuesit e Komisionit Europian më të suksesshëm. Ai ka qenë President i KE në vitet 1985 deri në 1995, që përkoi me mjaft zhvillime në Europë dhe Ballkan, që nga rënia e murit të Berlinit e më pas rënia e komunizmit në vendet lindore.
Delors ka pasur një rol kyç në krijimin e një tregu të përbashkët, dhe shtroi rrugën për krijimin e euros. Tre kanë qenë shtyllat kyçe të presidencës së tij, kompletimi i tregut të brendshëm, unioni ekonomik dhe monetar, dhe hapja e BE me vendet ish-komuniste pas rënies së Murit të Berlinit.

Në shkurt të 1989 kur prezantoi edhe projektin e një tregu të vetëm brenda Komunitetit Europian Delors do të shprehej: “…TPE nuk është për një Europë dyfish të ndarë. Brukseli duhet t’ja hapë dyert vendeve të EFTA-s, por njëkohësisht edhe “jetimeve të Europës, Maltës, Qipros, Jugosllavisë, Turqisë…dhe Lindjes. Europa e organizuar duhet të jetë më shumë se dymbëdhjetë.”
Në arkivat online të Ministrisë së Jashtme gjejmë dhe përpjekjet e Delors për Shqipërinë e sapodalë nga regjimi komunist. Dokumentet mund t’i lexoni këtu.

Më 21 nëntor 1990 ministri i Jashtëm shqiptar Reis Malile zhvilloi një takim ne Paris me Delors, lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Delors u shpreh se kjo kërkesë ishte kompetence e Këshillit të Ministrave të Jashtëm, por ai do të interesohej që çështja të trajtohej në një nga mbledhjet e afërta të këtij Këshilli.
Ai luajti një rol mjaft kyç në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me KEE-në në 1991.
Në një intervistë të mëvonshme të Delors në vitet 2000, si një nga baballarët e Europës së sotme, Delors do të thoshte se Europa i ka dyert e hapura për vendet e Ballkanit. “Europa i ka dyert e hapura për vendet e Ballkanit për t’i mbështetur ato në gjetjen e zgjidhjeve paqësore dhe të frytshme. Unë jam pro zgjerimit. Pas zhvillimeve të fundit në këtë rajon, Europa ka marrë përgjegjësi të veçanta për vendet e tij”, do të shprehej Delors në vitin 2009.
