Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se tragjedia në Thumanë ishte e paralajmëruar teksa sjell në vëmendje në rrjetet sociale deklaratat e ndryshme të zv. kryeministrit Erion Braçe dhe kreut të bashkisë së Krujës Artur Bushi për dy pallatet e shembura.
“Ka një përpjekje kriminale të Qeverisë për të lënë në harresë viktimat e 26 nëntorit dhe për t’i mbuluar ato me spektakël të pashpirt propagandistik. Ka një përpjekje të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij për të fshehur të vërtetën se tragjedia e Thumanës ka qenë e paralajmëruar! 2 ditë pas tërmetit, Erion Braçe dhe Artur Bushi japin 2 përgjigje të ndryshme, nëse pallatet ishin shpallur apo jo të banueshme pas 21 Shtatorit. Kjo do të thotë se ata po fshehin të vërtetën, po përpiqen ta shtrembërojnë për të shpëtuar nga përgjegjësia”, thotë Bardhi në videon e postuar.
PD thotë ai ka kërkuar “zyrtarisht përgjigje për masat e marra për sigurinë e banorëve nga qeveria dhe Bashkia e Krujës pas tërmetit të 21 Shtatorit. Deri tani, qeveria ka heshtur dhe është fshehur pas spektaklit kriminal të kreut të saj, i cili nuk kursen as fëmijët e mbijetuar”.