Ngushëllime dhe mbështetje Greqisë për aksidentin hekurudhor në Larisa i ka shprehur edhe kryeministri Edi Rama. Në një postim në Twitter, Rama shprehet se ndjejmë dhimbjen e fqinjëve tanë të dashur në një orë kaq të rëndë për kombin e tyre.
“Sa keq të dëgjosh për humbjen e jetëve dhe shumë të plagosurit në aksidentin tragjik të natës së fundit në Greqi! Ndjejmë dhimbjen e fqinjëve tanë të dashur në një orë kaq të rëndë për kombin e tyre dhe i bashkohemi në lutjet e tyre dhe në ngushëllimet për familjet e viktimave”, ishin fjalët e tij në një postim në Twitter.
Ngushëllimeve i shtohet edhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, që i bashkohet lutjeve për viktimat.
Ka shkuar ndërkohë në 36 numri i viktimave dhe të paktën 85 të plagosurit nga përplasja e dy trenave në Greqinë veriore, ku treni i pasagjerëve që po udhëtonte nga Athina për në qytetin verior të Selanikut u përplas në Larisa me një tren mallrash.
