Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, njëkohësisht dhe drejtuese politike e qarkut të Dibrës ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur në minierën e Selishtës në Dibër ku hmbën jetën dy minatorët dhe një inxhinier.
Në një postim në rrjetet sociale ajo ngushëllon familjet e të ndjerëve duke u shprehur se ky është një vit i vështirë dhe as fjalët e as dhimbja nuk i kthen mbrapsht ata që ikën.
“Shumë dhimbje për familjet e minatorëve që humbën jetën në Selishtë. Në këtë moment tragjedie, me mendje e me zemër ju gjendemi pranë familjeve që lanë pas Fatos Çesku, Rexhep Rushiti e Ismail Hoxha. Ngushëllimet më të sinqerta, edhe pse, as fjalët e as dhimbja që ndajmë me ta nuk kanë për t’ua kthyer mbrapsht të dashurit e tyre. Ky është një vit i vështirë që vijon të na sprovojë të gjithëve. Por megjithatë, është detyrimi ynë që pavarësisht vështirësive e sfidave të bëjmë më shumë për minatorët e familjet e tyre”, shkruan ministrja.
