Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sot dha një intervistë për A2, ku u shpreh se FSHF ka synim të përfundojë këtë sezon në fushën e lojës. Ai parashikon që më 24 maj skuadrat të nisin kampionatet përkatës dhe gjendja të normalizohet, ndonëse pa tifozë.
“Kemi bërë një plan për të filluar stërvitjen më 2 maj dhe më 24 kampionatin, por ky plan i joni duhet të bashkohet me një protokoll shëndetësor për të minimizuar përhapjen e virusit. Bëhet fjalë për rikthimin e aktiviteteve pa spektatorë, vetëm për të mbyllur aktivitetet”, ka deklaruar Duka.
“Kemi shpërndarë pothuajse 80% e pagave për futbollistët dhe stafet e klubeve. Do të vazhdojë e njëjta edhe për muajin e dytë. Buxheti total është 800 milionë lekë të vjetra. Urojmë të mos jetë e nevojshme të japim paga për muajin e tretë. Jemi shteti i vetëm në Europë, ku qeveria nuk ka ndihmuar futbollin”, ka shtuar ai.
Duka më tej ka dhënë edhe një informacion mbi trajnerin Edy Reja. Sipas tij, ai dhe stafi i kombëtares kanë pranuar përgjyshim të pagave gjatë kësaj periudhe. Italiani, madje, ka dhënë thuajse gjithë pagën e tij mujore për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit.
“Edhe pse nuk është thënë asnjëherë publikisht, Reja ka derdhur në buxhetin e Federatës për rindërtimin e shtëpive të tërmetit një sasi të konsiderueshme parash, afërsisht një pagë mujore të tij”, është shprehur Duka.
