Transmetimi i luftës në Ukrainë ka qenë një veprim i gabuar për autoritetet ruse të cilat kanë marrë masa për nxjerrjen e stacionit të pavarur radiofonik rus jashtë transmetimit. Bëhet fjalë për stacionin “Echo of Moscow”, i cili njoftoi zyrtarisht të enjten se do të mbyllet.
“Me shumicë votash të Bordit të Drejtorëve të Echo of Moscow, u mor vendim për likuidimin e kanalit radiofonik dhe faqes së internetit të Echo of Moscow”, bëhet e ditur në një deklaratë në faqen e saj.
Që në datën 1 mars, autoritetet ruse u vunë direkt në lëvizje për të bllokuar faqet e internetit të “Echo of Moscow” dhe një tjetër medie të quajtur “TV Rain” nga transmetimi për shkak të mbulimit të luftës në Ukrainë.
Në një deklaratë, Prokurori i Përgjithshëm akuzoi “Echo of Moscow” dhe “TV Rain” për shpërndarjen e asaj që e quajti “informacion i njohur si i rremë në lidhje me veprimet e ushtarakëve rusë, si pjesë e një operacioni special për të mbrojtur Republikën Popullore të Donetskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut”.
