Tregtarët e sendeve të përdorura në Korçë janë zhvendosur sërish, duke ardhur pranë oxhakut të TEC-it, në një hapësirë që Bashkia ka niveluar, duke e shtruar me çakëll.
Por kushtet sipas tregtarëve sërish kanë mbetur të njëjta, dhe problemi më I madh për ta është rruga e pasistemuar, që në kohën e reshjeve është gjithë baltë dhe në kohë të mirë ngrihet një re pluhuri që e bën për ta shumë të vështirë tregtimin në këto kushte.
Ata kërkojnë që bashkia t’u sigurojnë kushtet minimale të një tregu, pasi janë rreth 50 tregtarë që mbajnë familjet me të ardhurat e siguruara në këtë mënyrë.
“Ne mirë na bëhet që Bashkia të na I shtrojë këtë rrugë siç na ka premtuar. Të na I shtrojnë këtë rrugë se nuk rrihet asnjë minutë. Kur është toka e thatë këtu nuk rrihet. Nëse nuk na I shtrojnë rrugën këtu jemi më keq se atje ku ishim”, është shprehur një tregtar.
“Ne nga Bashkia duam që rrugën të na I shtrojë, të rrimë si njerëz. Se këtu kur është rruga e mirë, kur nuk bie shim, ngrihet pluhur, bëhet gati helm. Të paktën ne mos helmohemi,le të shtrojnë rrugën, e të paguajmë njëfarë leku”, thotë një tregtar tjetër.
Pas ndërtimit të Markatës së Shijes tregtarët janë zhvendosur në këtë treg rreth dy muaj më parë.