Disa ditë pas publikimit të dokumenteve të përgjimit nga SPAK në dosjen e tij, kirurgu Edvin Prifti ka publikuar një tjetër dokument të transkriptit të përgjimit të komunikimit të tij me të afërmin e një pacienti.
Në komunikim, personi i kërkon Priftit që ta operojë të afërmin e tij duke i ofruar një shpërblim ndërkohë ai i përgjigjet se nuk kanë asnjë detyrim dhe se nuk do pranojë asnjë lloj shpërblimi.
Në statusin në Facebook, Prifti, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash nga SPAK, shkruan se do të evidentojë gjithçka në mënyrën më transparente të mundshme. Ai thotë se në vijim do të nxjerrë përgjime që tregojnë sesi tentohej të inflitronin kriminelë për të inskenuar dhënien e parave apo për ekzekutimin fizik të atij vetë dhe fëmijëve të tij.
“Përgjim zyrtar SPAK 2020, Nr.2
Në vazhdën e autohetimit që po i bëj vetvetes dhe përgjimeve të furnizuara nga SPAK që mu mbajtën sekret hetimor për tre vjet po ju paraqes një rast të dytë se si ju jam përgjigjur njerëzve të ndryshëm në nevojë. Mesa duket nuk e kam thënë mjaftueshëm që në QSUT ska asnjë detyrim financiar?!
Gjithçka do jua evidentoj në mënyrën më transparente të mundshme. Kam hequr numrin e telefonit të bashkëbiseduesit si dhe emrin për etikë! Të tjera përgjime se si tentohej të infiltrohen kriminelë për të inskenuar dhënie parash, apo plane për ekzekutimin tim fizik dhe të fëmijëve të mi të mitur do ju jepen në vazhdimësi. Sigurisht vrasja apo tentativa për vrasje nuk është kompetencë e SPAK, prandaj që nuk është hetuar mesa duket?”, shkruan Prifti.