Njerëzit në veri të Japonisë, duke përfshirë ishullin Hokkaido, thuhet se u zgjuan nga zhurma e sirenave dhe sinjalizimeve me tekst që shkruanin: “Koreja e Veriut duket se ka lëshuar një raketë. Ju lutemi evakuoni në ndërtesa ose nëntokë”.
Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë mbi Japoni, në atë që duket të jetë një përshkallëzim i qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen e Tokios dhe Uashingtonit. Raketa balistike udhëtoi rreth 4,500 km (2,800 milje) përpara se të binte në Oqeanin Paqësor. Kjo është raketa e parë që Koreja e Veriut lëshon mbi Japoni që prej vitit 2017.
Ndërsa raketa u lëshua lart, qytetarët u paralajmëruan që të kinin kujdes nga mbetjet e raketës që mund të binin. Zyrtarët më vonë thanë se raketa balistike me rreze të mesme veprimi ra në Oqeanin Paqësor larg Japonisë dhe nuk raportohet për të lënduar.
OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut të testojë armë balistike dhe bërthamore. Lëshimi i raketave drejt ose mbi vende të tjera pa ndonjë paralajmërim ose konsultim paraprak është gjithashtu në kundërshtim me normat ndërkombëtare.
Testime të tilla kanë kontribuuar në rritje të tensioneve mes Koresë Veriore dhe Japonisë, që kanë rrënjët në kolonizimin e Koresë nga viti 1910 deri më 1945, si dhe rrëmbimin e qytetarëve japonezë nga verikoreanët, në të kaluarën. Më herët gjatë këtij muaji, Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore.