Presidenti amerikan Donald Trump dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i kanë bërë thirrje Rusisë të shmangë çdo veprim që mund të zgjerojë luftën në Ukrainë.
Qëndrimi u bë publik përmes një deklarate të përbashkët, pas takimit të dy liderëve në Florida, ku në fokus ishte edhe lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin.
Në deklaratë, Trump dhe Rutte theksuan se shmangia e përshkallëzimit të konfliktit dhe arritja sa më e shpejtë e një zgjidhjeje paqësore mbeten prioritete. Megjithatë, dy liderët nuk dhanë detaje mbi diskutimet konkrete për zhvillimet në Iran.
Trump dhe Rutte diskutuan gjithashtu rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe investimeve në mbrojtje, si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në vendet anëtare të NATO-s.
Më pas në një intervistë për Fox News, sekretari i përgjithshëm i NATO theksoi se presioni ndaj Rusisë do të vazhdojë.
“NATO është jashtëzakonisht e fortë. Dhe kjo është pikërisht ajo që presidenti ka thënë gjithmonë, paqe përmes forcës, jo paqe përmes paqësimit. Pra, NATO është e fortë, Ukraina është e fortë. Ne së bashku, SHBA-të, e gjithë NATO, duke mbështetur Ukrainën kur bëhet fjalë për mbrojtjen kyçe industriale, pajisjet industriale që ata të luftojnë atë luftë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mbajtja e Ukrainës në luftë është pikërisht ajo që duhet të bëjmë sepse kjo po e vë në provë Putinin”, tha Rutte.
Takimi zhvillohet në një moment delikat për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë, veçanërisht pas kontakteve të fundit të Trump me presidentin rus Vladimir Putin dhe liderin kinez Xi Jinping, të cilët presidenti amerikan i ka cilësuar si miq.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka këmbëngulur se Evropa duhet të jetë pjesë e çdo procesi negociatash për përfundimin e luftës.
