Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë interesa të përbashkëta për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, për të garantuar qarkullimin e energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe për të parandaluar Iranin që të sigurojë armë bërthamore.
Në deklaratat e tij gjatë takimit me presidentin kinez Xi Jinping, Trump u shpreh se të dy vendet dëshirojnë përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar se konflikti po shkakton një numër të madh viktimash.
“Ne po kërkojmë të ndihmojmë të dy palët në lidhje me luftën me Rusinë dhe Ukrainën. Ata do të donin ta shihnin luftën të përfundonte”, tha Trump, duke shtuar se çdo muaj po vriten rreth 25 mijë persona, kryesisht ushtarë.
Ai bëri të ditur se takimi i mëhershëm me presidentin rus Vladimir Putin kishte shërbyer për përgatitjen e terrenit, ndërsa shprehu optimizëm për takimin e mëvonshëm trepalësh.
“Mendoj se ndoshta do të kemi një takim të suksesshëm”, u shpreh presidenti amerikan, duke iu drejtuar Xi Jinping si “miku im” dhe duke theksuar se mes tyre ekziston një marrëdhënie e veçantë.
Trump deklaroi gjithashtu se SHBA-ja dhe Kina ndajnë të njëjtin interes për garantimin e lëvizjes së energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe për të mos lejuar Iranin të zotërojë armë bërthamore.
“Ne të dy e ndiejmë këtë shumë fort”, tha ai, duke përmendur edhe fusha të tjera të mundshme bashkëpunimi, përfshirë përpjekjet për të frenuar krizën e fentanilit në Shtetet e Bashkuara.
Në fjalën e tij, Trump vlerësoi edhe marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, duke iu referuar marrëveshjes për uljen reciproke të tarifave me rreth 30 miliardë dollarë për secilën palë. Ai tha se marrëveshja ka sjellë përfitime dhe se fermerët amerikanë kanë pasur rezultate të mira, ndërsa shprehu shpresën se Kina do të rrisë më tej blerjet e produkteve bujqësore amerikane.
