Një tjetër projekt që do të çlirojë trafikun e makinave në pjesën e Unazës së Vogël në Tiranë është kalimi nën tokë i segmentit tek Shallvaret deri te pjesa para sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Projekti është bërë i ditur nga vetë kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë kafes së mëngjesit me kryeministrin Edi Rama dhe banorë të njësisë nr. 10.
“Po i tregoja kryeministrit planin që kemi për Unazën e Vogël, që ta fusim poshtë parkut, ta nxjerrim te Xhamia para Parlamentit, kështu zhduket i gjithë trafiku që futet nëpër të. Ka qenë idea e vjetër e Edit, po më në fund e kemi një koncept inxhinierik dhe e shpëton Tiranën si një gjullurdi e qendrës, edhe si trafik, edhe si ndotje”, tha ai.
Ata biseduan për disa nga projektet transformuese që do të vijojnë të zbatohen edhe në 4 vitet e ardhshme në kryeqytet. Një nga projektet më të mëdha dhe që vjen edhe si përmbushje e Paktit për Universitetin është ndërtimi i Kampusit Universitar.
Kryeministri Rama tha se projekti është në punë e sipër, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj shtoi se përveç kampusit të Qytetit Studenti do të bëhet edhe ai i Akademisë së Rendit. “Jemi në fazën kur po i bashkojmë të dyja projektet, edhe atë për kampusin e Akdemisë së Policisë”, tha Veliaj.
Ndërkohë, kreu i qeverisë vuri theksin edhe te nevoja për ndërtimin e një Teatri të ri Kukullash modern dhe me të gjitha kushtet te zona ku sot ndodhet Garda e Republikës dhe ku do të ndërtohet edhe Biblioteka e re Kombëtare. “Aty ku duam të bëjmë Bibliotekën e re Kombëtare, aty mund të bëjmë edhe një teatër të bukur kukullash për fëmijë. Shkova një ditë me Zahon te kopshti zoologjik, aty shkoja çdo të dielë se kisha burrin e hallës që merrej me muzikë, rrija tek kabina e tij dhe e mbaj mend shumë mirë, më është fiksuar që i vogël si ka qenë, aty çdo të dielë bëhet mizë lisi dhe gjysma ngelen jashtë se nuk futen dot”, tha Rama.
Veliaj tha se në 4 vitet e ardhshme një tjetër projekt është edhe ai i transformimit të Kopshtit Zoologjik dhe Botanik. Kryebashkiaku shtoi se qeverisë do t’i shkojë nga Ministria një VKM e cila do bëjë dhe kalimin e pronës te Bashkia e Tiranës, për të filluar më pas zbatimin e projektit. “Do vijë VKM që bashkon Kopshtin Zoologjik me Kopshtin Botanik, kemi edhe një dakordësi me dekanin e Shkencave të Natyrës. Ata nuk kanë fuqi që ta mbajnë, ne do të bëjmë një marrëveshje ku do të themi që Bashkia menaxhon Kopshtin Zoologjik dhe Kopshtin Botanik si një njësi e vetme. Marrëveshja do t’u japë akses të plotë atyre për nevojat e mësimore, për eksperimente biologjike, të klasave të hapura, të praktikave studentore. Por, me mirëmbajtje nga bashkia. Kemi përgatitur gjithë materialin dhe mund ta hapim garën për projektin vetëm kur të kemi pronën. E kemi ndarë në tre faza, botaniku, zoologjiku dhe lidhja mes tyre, në formë tuneli si një akuarium”, u shpreh Veliaj.