Qershori ka konfirmuar një tjetër sezon veror me fluks të lartë turistësh në Shqipëri. Të dhënat e publikuara këtë të hënë nga INSTAT tregojnë se numri i vizitorëve të huaj të akomoduar në hotele, apartamente turistike dhe struktura të tjera të akomodimit u rrit me 20.6% krahasuar me qershorin e vitit 2025.
Në të njëjtën periudhë, edhe numri total i vizitorëve të akomoduar shënoi një rritje prej 17%, duke treguar se kërkesa për pushime në Shqipëri vijon të jetë në rritje që në fillim të sezonit veror.
Bregdeti ishte zona që përthithi pjesën më të madhe të këtij fluksi. Gjatë qershorit, në zonat bregdetare u akomoduan 323.426 vizitorë të huaj, nga 253.867 që ishin regjistruar një vit më parë. Rritja rezulton 27.4%, duke shënuar ritmin më të lartë ndër të gjitha zonat turistike të vendit.
Edhe zonat jo bregdetare regjistruan më shumë vizitorë të huaj. Numri i tyre arriti në 122.420, ose 5.7% më shumë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Rriten edhe net-qëndrimet
Rritja e turizmit nuk u reflektua vetëm te numri i vizitorëve, por edhe te kohëzgjatja e qëndrimit të tyre. Sipas INSTAT, net-qëndrimet në strukturat akomoduese u rritën me 9.8% krahasuar me qershorin 2025.
Vizitorët e huaj regjistruan një rritje prej 9.2% të net-qëndrimeve, ndërsa për vizitorët rezidentë rritja ishte edhe më e lartë, në 11.8%. Edhe numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 7%.
Hotelet dhe strukturat e ngjashme vijuan të ishin zgjedhja kryesore e turistëve të huaj. Gjatë qershorit, në këto struktura u akomoduan 401.836 vizitorë të huaj, kundrejt 336.226 vizitorëve të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në rritje ishte edhe interesi për strukturat e akomodimit për pushime dhe qëndrime të tjera afatshkurtra. Në qershor ato pritën 39.457 vizitorë të huaj, nga 27.227 një vit më parë, duke treguar zgjerimin e ofertës turistike përtej hoteleve tradicionale.
Fluksi i turistëve u reflektua edhe në shfrytëzimin e kapaciteteve akomoduese. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 41.3%, nga 39.5% në qershorin e vitit 2025, ose 1.8 pikë përqindjeje më shumë.
Kosova kryeson listën e turistëve të huaj
Sa i përket origjinës së turistëve, Kosova vijon të mbajë vendin e parë. Vizitorët nga Kosova përbëjnë 15% të totalit të turistëve të huaj të akomoduar në Shqipëri.
Pas Kosovës renditet Italia me 14%, ndërsa Polonia zë vendin e tretë me 13%. Franca dhe Gjermania përfaqësojnë nga 7% secila, ndërsa 44% e vizitorëve të huaj vijnë nga vende të tjera.
Të dhënat e qershorit tregojnë se Shqipëria e ka nisur sezonin veror me një rritje të ndjeshme të fluksit turistik, veçanërisht në zonat bregdetare, të cilat vijojnë të jenë destinacioni kryesor për vizitorët e huaj.
