Turqia ka bllokuar mundësinë e shqyrtimit të aplikimeve të Finlandës dhe Suedisë për anëtarësimin në NATO, shkruan Financial Times.
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga Presidenti Erdogan, Turqia nuk do të pranojë anëtarësimin e dy vendeve nordike në Alenacën e Veriut nëse nuk përmbushen disa kushte. Ambasadorët e NATO-s u takuan të mërkurën me qëllim hapjen e bisedimeve të pranimit në të njëjtën ditë kur Finlanda dhe Suedia paraqitën kërkesat e tyre, por Ankaraja refuzoi.
Turqia ka akuzuar Suedinë dhe Finlandën se strehojnë njerëz që ajo thotë se janë të lidhur me grupet që i konsideron terroriste, përkatësisht grupin militant të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe pasuesit e Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e një përpjekjeje për grusht shteti të vitit 2016.
Të 30 anëtarët ekzistues të NATO-s duhet të ratifikojnë kërkesat e Finlandës dhe Suedisë, por ky proces mund të fillojë vetëm pasi aleanca e mbrojtjes të nxjerrë një protokoll pranimi dhe t’i ftojë zyrtarisht të dy vendet të bashkohen.
