Tushemishti është fshati turistik i cili ndodhet 5 km larg qytetit të Pogradecit, ofron një pamje përrallore për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj. I ndodhur shumë afër liqenit, Tushemishti ofron pamje mahnitëse në secilën stinë të vitit, kryesisht plazh mahnitës gjatë stinës së verës.
Nëse depërton në brendësi të fshatit, do të hasesh me shtëpi shumë të vjetra, me kishën e Shën Pandelimonit. Ndërkohë, nga ana tjetër, turistët mund të shijojnë edhe gatimet tradicionale të zonës dhe starkinkat (mollët) e famshme që gjenden atje.
Një nga gjërat më “pikante” që ndodhet në brendësi të fshatit është shtëpia e “Teto Ollgës”, së bashku me bustin. Ky i fundit është ndërtuar për nder të aktores Violeta Manushi.
Përveç bukurive natyrore, kjo zonë njihet gjithashtu edhe për kulinarinë e larmishme që ofron. Zonjat duararta të shtëpive, përgatisin zahiret e dimrit ndërsa nuk mungojnë reçelët e glikotë, por dhe punimet artizanale të cilat janë një tjetër mrekulli nga duart e zonjave të kësaj zone.