Nexhat Behluli, pronari i mediave Spektër në Luginën e Preshevës i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të ndihmojë Tv Preshevën që ai të mos mbyllet, pasi po përjeton ditët më të vështira në 20 vitet e fundit. Ai thotë se kjo media është ngritur në kohë të vështira nga Komuna e Preshevës, ndërkohë aktualisht ka mbetur pa përkrahje. Behluli thekson se Tv Presheva ka gazetarë të mirëpërgatitur dhe të apasionuar, por prej një viti nuk paguhen. “Radio Televizioni i parë shqip në Luginën e Preshevës po përballet me sfidën më të vështirë që nga themelimi i para dy dekadave. RTP, “të jetë apo të mos jetë” është buzë mbylljes, Puntorët e këtij mediumi ka 12 muaj që nuk kanë marrë pagat mujore. Në Shqipëri dhe Kosovë ka filluar të ngritet zëri dhe ka reagime kundër mbylljes të RTP-së” , shprehet Nexhat Behluli i Spektrit. Ai lë mënjanë konkurencën mediatike dhe të bërit biznes mediatik duke kërkuar nga Tirana zyrtare ndihmë konkrete që ky televizion të vijojë aktivitetin e tij. Sipas tij në Luginë të Preshevës po mbretëron heshtja. Behluli thekson se; “borxhlinjtë më të mëdhenj moral të RTP-së janë puntorët e arsimit, shëndetësisë, artit dhe kulturës, sportistët, bashkësitë islame, hoxhallarët e shumtë, organizata e Veteranëve të Luftës që dolën nga UÇPMB-ja, shoqëria civile dhe shumë të tjerëve, të cilëve RTP u ka përcjellur, transmetuar dhe promovuar aktivitetet e tyre njëzet vitet e fundit”. Sipas Behlulit ata që aktualisht heshtin në Luginën e Preshevës do ta kërkojnë përsëri ekranin e Tv Preshevës.
Ragmi Mustafa, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginë të Preshevës, në një prononcim të sotëm e cilësoi mjaft negative nismën për mbylljen e këtij televizioni nga ana e pushtetit lokal. Mustafa ka deklaruar veç tjerash se “RTV Presheva”-së po i kanoset mbyllja për shkak të mos gatishmërisë së pushtetit lokal për të financuar atë. Ai, poashtu tregon se “RTV Presheva” si institucion publik i informimit të gjerë në gjuhën shqipe nisi në vitin 2002 dhe me një mund shumë të madh dhe buxhete fare të vogla të komunës së Preshevës kishte arritur t’i mbijetonte të gjitha pushteteve.