Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi në një intervistë ekskluzive për Dritan Hilën në Ora News, hodhi dyshime për mënyrën se si u veprua për të akuzuar atë si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Ai akuzoi segmente të caktuara të politikës që kanë influencë, duke mos përmendur konkretisht se kush janë këto segmente. Ai thotë se sulmi vjen në një kohë kur KLP-ja.
Pjesë nga intervista:
Hila: A mendoni se është një sulm politik? Ju e keni cilësuar në deklaratën tuaj që ka një lloj prapavije politike ky sulm.
Sheshi: E kam thënë. Kam pasur çështje ku janë përfshirë personazh politikë. Nuk e kam bërë për të mbrojtur veten politikisht. Arsyeja është në mënyrën se si është vepruar në rastin konkret. Duke përfshirë një institucion shtetëror që është detyruar të marrë një vendim në kundërshtim me ligjin. Mënyra se si u vepruar duke u publikuar dokumenti nëpër portale pothuajse anonimë pa u vënë në dijeni unë, institucioni i KLP-së ku unë jam pjesë, por edhe rrethana të tjera. Patjetër, jo vetëm mua, por çdo njeri do ta mendonte që këtu janë përfshirë segmente të caktuara të politikës që kanë influencë dhe patjetër kanë ndikim.
Hila: Edhe mbi Autoritetin e Dosjeve?
Sheshi: Ndryshe, çdo ta shtynte Autoritetin të merrte një vendim, i cili sikurse kam shprehur në denoncim, është në të gjitha pikat në kundërshtim me ligjin.
Unë për t’i qëndruar pyetjes, mendoj se ai sulm synon goditjen e emrit tim dhe synon të vërë në presion Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe vjen në momentin pas 1 muaj e gjysmë punë, ka arritur në fazën e përzgjedhjes së SPAK-t dhe përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e Prokurorin e Përgjithshëm.