Amerikani Lamar Johnson, i cili vuajt 28 vjet në burg për një vrasje që ai gjithmonë e mohonte, është liruar pas një vendimi të gjykatësit David Mason. Gjykatësi tha se ai veproi pasi dy dëshmitarë kishin ofruar “prova të qarta dhe bindëse” se Johnson ishte i pafajshëm.
Pas shpalljes së vendimit, 50-vjeçari u emocionua, ndërsa mbështetësit e tij filluan të brohoritnin.
“Kjo është dërrmuese,” tha zoti Johnson, pasi doli nga salla e gjyqit.
Johnson akuzohej për vrasjen e Marcus Boyd në vitin 1994. Ky i fundit u qëllua për vdekje nga dy persona të maskuar në verandën e përparme të Johnson. Mirëpo, Johnson ka thënë vazhdimisht se ai nuk ishte në shtëpi kur ndodhi sulmi.
Vendimi për ta liruar erdhi pasi një dëshmitar kishte hequr dorë nga dëshmia e tij, dhe një i burgosur kishte rrëfyer se është ai autori që qëlloi Boyd.