Kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe bashkëshortja e tij Sophie Gregoire Trudeau njoftuan me anë të një postimi në Instagram se janë duke u ndarë. Kështu i erdhi fundi martesës 18-vjeçare të çiftit të cilët nuk kanë ngurruar asnjëherë ta shprehin dashurinë për njëri-tjetrin në publik.
Justin, 51 vjeç dhe Sophie, 48 vjeç, u martuan në maj të 2005. Dhjetë vite më pas, Trudeau u bë kryeministër dhe dyshja më pas u vu në sytë e të gjithë botës. Trudeau, babai i të cilit Pierre Elliott Trudeau ishte po ashtu kryeministër i Kanadasë për 15 vite, punonte si mësues në një shkollë përpara se t’i bashkohej politikës.
Kurse, Gregoire Trudeau ishte gazetare dhe njihej me Justin që në fëmijëri. Trudeau i propozoi asaj më 18 tetor 2004 dhe çifti u martua në Montreal më 28 maj 2005. Ata tashmë kanë tre fëmijë, Xavier, 15, Ella Grace, 14, dhe 9-vjeçarin Hadrien. Ata e shprehnin shpesh publikisht dashurinë dhe unitetin mes tyre, sidomos në ditëlindje dhe përvjetorë, por me kalimin e viteve, jeta e tyre bashkëshortore ka pasur ulje-ngritje.