Partizani ka reaguar për të përgënjeshtruar lajmet të cilat njoftonin se trajneri i Partizanit, Ilir Daja ishte infektuar me COVID-19. Tekniku i të kuqve, fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore dhe klubi i Partizanit garanton se trajneri i tyre është në hotel, i grumbulluar me skuadrën para ndeshjes së sotme ndaj Teutës.
Ndërkohë, në reagimin e saj klubi kryeqytetas ka kërkuar që mediat të jenë më të përgjegjshëm në informacionet që përcjellin dhe të jenë gjithnjë në kontakt me strukturat përkatëse të klubit.
Reagimi i Partizanit:
“Duke marr shkas nga lajmi që po qarkullon sot në disa media vizive dhe ato të shkruara, të cilat njoftojnë se trajneri ynë, Ilir Daja është infektuar me COIVID-19, saktësojmë se një lajm i tillë nuk është aspak i vërtetë. FK Partizani garanton se trajneri Ilir Daja gëzon shëndet të plotë dhe aktualisht është i pranishëm në hotel, i grumbulluar së bashku me ekipin për sfidën ndaj Teutës, ndeshje e cila do të luhet sot, në orën 16:45, në stadiumin “Elbasan Arena”. U tërheqim vëmendjen mediave të caktuara të jenë më të përgjegjshme dhe profesioniste në informacionet që përcjellin. Në çdo moment të kontaktojnë strukturat përkatëse të klubit FK Partizani”.
