Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Edi Rama u shpreh se raporti i Dick Marty kundër UÇK është prodhuar në Kremlin dhe më pas ka arritur në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, të gjitha akuzat që rëndonin ndaj drejtuesve të lartë të UÇK-së janë pretendime të pavërtetuara.
“Në aktakuzën zyrtare që u paraqit një vit pasi presidenti u mbajt në paraburgim, nuk ka asnjë fjalë të vetme që përmend në mënyrë të qartë apo të nënkuptuar çështjen e trafikimit të organeve njerëzore. Nuk ekziston, kemi pritur me durim që të shohim nëse do dilte diçka edhe pse e dinim që asgjë s’do të dilte, është një fantazi e pastër e mirë fabrikuar në Kremlin dhe në mënyrë inteligjente e trafikuar në kanalet ndërkombëtare dhe e sjell këtu. E dimë që gjërat kërkojnë kohë, por vjen në pikë kur vonesat përftojnë një kuptim të dytë që çon në poshtërimin e atyre”, tha Rama.
Kreu i qeverisë iu drejtua gjithashtu me një thirrje 12 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që të njihnin pavarësinë e Kosovës.