Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim sot tre policët që u rrëmbyen para disa ditësh nga forcat serbe dhe u mbajtën në burg.
Osmani ka falenderuar Policinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm për një mjedis të sigurt dhe të qetë.
“Policia e Kosovës është institucioni kyç për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës e njohim përkushtimin dhe sakrificën tuaj, por edhe të të gjitha grave dhe burrave në uniformë policore, të cilët e mbrojnë Republikën në çdo cep”, është shprehur Osmani.
Të tre policët kanë falënderuar Presidenten Osmani për pritjen dhe shprehën përkushtimin për vazhdimin e angazhimit të tyre në funksion të sigurimit të një mjedisi paqësor dhe tërësisë territoriale të Kosovës.
