Këngëtari i njohur kosovar Jetmir Hyseni ka rrëfyer eksperiencën e tij me COVID-19 pasi është shëruar tashmë dhe vijon të qëndrojë në karantinë sipas rregullave.
Në një lidhje me Wake Up Jetmiri thotë se është i bindur që është infektuar në Gjermani, por pa e ditur saktësisht se si. Shenjat e para i ka ndjerë sapo ka mbërritur në aeroport në Prishtinë.
“Mendoj se jam infektuar në Gjermani, kam pas kontakt me shumë njerëz, po që e kam të sigurtë që atje. Qendrova tetë ditë për arsye se udhëtimi drejt Kosovës u ndalën dhe pastaj më 20 mars kam udhëtuar në Kosovë, pas kthimit kam shfaqur shenjat e para. Dhimbje të papërshkrueshme, temperaturë, ethe”, rrëfeu ai.
I pyetur se si është ndjerë pasi u konfirmua se bëhej fjalë për koronavirusin ai thotë se ka qenë frika se çfarë do të ndodhë më pas. “Ka qenë frika në vete se çfarë do të ndodhë pas ditës së sotme, kalo shumë shpjet dhe pse më kishte shkaktuar pneumoni, po me ndihmën e mjekëve e kalova suksesshëm”, thotë Jetmiri.
Ai është baba i dy vajzave Dua 5 vjeçe dhe Hana 3 vjeçe dhe thotë se është e vështirë tu qëndrosh larg fëmijëve. Ndërkohë bashkë me një tjetër person me të cilën kanë qenë bashkë të shtruar në QKUK në Kosovë kanë vendosur të dhurojnë plazmën e gjakut për të infektuarit.
“Jemi ne nje kohe te veshtire dhe besoj qe te gjithe ne nga pak duhet te japim kontributin tone. Pas informacioneve që kam marr plazma eshte sheruese per njerez që janë në gjendje të rëndë, gjithmonë në konsultim me mjekët, çfarë do të na sugjerojnë ata”, tha ai.
