Uashingtoni beson se Izraeli ka gati planin e hakmarrjes ndaj Iranit, për sulmin me raketa të 1 Tetorit. Sipas medias amerikane NBC NJUZ që citon burime të brendshme të administratës amerikane, kundërpërgjigjja izraelite do të fokusohet tek sulmet ndaj bazave ushtarake, infrastrukturës energjitike apo tek atentatet.
Është përfolur shumë në media se objektiv kryesor i Izraelit mund të jetë goditja e impianteve bërthamore iraniane, ku besohet se Teherani po zhvillon fshehurazi armë bërthamore. Megjithatë, zyrtarët amerikanë shprehen se nuk ka asnjë të dhënë se bazat bërtharmore janë në shenjestër, ndërsa një vendim përfundimtar se kur dhe si do të veprohet, ende nuk është marrë.
Pritet që këtë të dielë, qeveria izraelite të zhvillojë një mbledhje urgjente me fokus diskutimesh, pikërisht kundërpërgjigjen ndaj Iranit. Ndërkaq sipas CNN, zyrtarët iranianë janë tepër të shqetësuar për mënyrën se si do të kundërpërgjigjet Izraeli.
Diplomatët iranianë kanë nisur një valë bisedimesh me vendet e rajonit dhe kanë kontaktuar edhe me Uashingtonin për të bindur Izraelin, që të mos godasë impiantet bërthamore dhe ato të naftës. Teherani ka paralajmëruar vendet e Lindjes së Mesme se do nëse bashkëpunojnë në hakmarrjen izraelite, do të konsiderohen si vende armike.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Katari ia kanë bërë të qartë Uashingtonit se nuk do të lejojnë Izraelin të shfrytëzojë hapësirën e tyre ajrore për të goditur Iranin.