Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha për televizionin kombëtar spanjoll ”TV Española” se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Policia e Kosovës tha se është duke kryer bastisje në pesë lokacione në veri të vendit, lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e së dielës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Milan Radojiçiç, sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka qenë pjesë e grupit terrorist i cili të dielën që lamë pas vrau një polic në Banjskë të Zveçanit. Pas këtij rasti, Policia ndërmori një aksion për të neutralizuar këtë grup i cili ishte strehuar në Manastirin e Banjskës.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka thënë se njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë hyrë brutalisht në spitalin në Mitrovicë të Veriut dhe i ka akuzuar zyrtarët policorë për “brutalitet të tepruar”. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se policia e ka dëmtuar derën hyrëse të spitalit dhe ka pretenduar se nga aksioni policor janë shqetësuar banorët e zonës.
