Tifozët e Milanit duan të lënë pas krahëve sa më shpejt dëshpërimin pas dy humbjeve radhazi ndaj Juventusit dhe PSG-së. Dhe nuk kanë skenë më të mirë se sa ndeshja me Napolin, një rival gjithmonë i veçantë për milanistët, siç e ka treguar komunikata e fundit e ultrasve të “Curva Sud”.
“Kur bëhen kalendarët e kampionatit, ajo ndaj Napolit është transferta e parë që kërkojmë, pasi për ne kjo është Transferta”, shkruhej në një mesazh që u është shpërndarë pjesëtarëve të këtij grupimi.
“Përse Napoli është special? Sepse Napoli na pret, Napoli na urren, pasi Napoli kërkon të matet me ne. Sepse në Napoli e ndjen me të vërtetë forcën, inatin dhe krenarinë e një qyteti të tërë kundër milanistëve. Sepse për Napolin jemi ne ultrasit që duhen mposhtur. Sepse në Napoli ndjen nevojën fizike që të mbështetësh Milanin. Sepse në asnjë vend tjetër si në Napoli nuk e provon privilegjin që të jesh një ultras i Milanit”, shkruhej ndër të tjera në mesazhin e tifozëve që padyshim do të ndezë më shumë atmosferën në stadiumin e kampionëve në fuqi të Italisë.
