Nga data 4 janar 2022, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare do të duhet të dorëzojnë certifikatën e vaksinimit, në të kundërt do të duhet që çdo 5 ditë të paraqesin përgjigjen e testit për të dëshmuar që nuk janë mbartës të virusit.
Përjashtim nga ky urdhër bëjnë rastet që kanë problematika shëndetësore, të cilat e bëjnë të pamundur injektimin e vaksinës anti-Covid.
Ky është dhe urdhri i ministrisë së Shëndetësisë, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare nr.201.
Në këtë dokument thuhet:
1. Punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe të qendrave tregtare, si një ndër kategoritë që rrezikohen dhe përbëjnë rrezik për të tjerët, me qëllim për të penguar përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga Sars-Cov-2 (COVID-19), duhet të depozitojnë pranë qendrës së punës, duke filluar nga data 4.1.2022, një nga dokumentet e mëposhtme:
a) certifikatë vaksinimi Covid-19, të lëshuar nga e-Albania, që vërteton vaksinimin e plotë, në formë digjitale apo të printuar;
b) test PCR-je, çdo 5 ditë, të kryer sipas procedures për kryerjen e testeve për efekte administrative, për të verifikuar që nuk janë mbartës të infeksionit Sars-Cov-2.
c) certifikatë shërimi Covid-19 të lëshuar nga e-Albania ose dokument të lëshuar nga autoritetet shëndetësore të vendit, që provon shërimin nga infeksioni Sars-Cov-2, me vlefshmëri deri në 6 muaj pas shërimit.
2. Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në këtë urdhër bëhet vetëm për rastet që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosaplikimin e vaksinës.


