Dy aeroplanë zjarrfikës janë dërguar me urgjencë në rajonin e Parisit për të luftuar një zjarr të madh që ka përfshirë pyllin Fontainebleau, në jug të kryeqytetit francez.
Zjarri, i cilësuar nga autoritetet si “i fortë” dhe me “shkallë të jashtëzakonshme”, ka detyruar mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore veri-jug të Francës, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut gjatë fundjavës së parë të madhe të pushimeve verore.
Sipas autoriteteve, deri në orët e para të së hënës flakët kishin përfshirë rreth 800 hektarë dhe vijonin të përhapeshin në pyllin Fontainebleau, rreth 60 kilometra në juglindje të Parisit.
Rajoni i Parisit po përballet me valën e tretë të të nxehtit këtë vit, në një verë kur temperaturat rekord janë regjistruar në disa vende të Evropës.
Sipas Eric Brocardi, përfaqësues i Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve të Francës, kjo është hera e parë që aeroplanët zjarrfikës transferohen nga jugu i vendit, ku zakonisht përdoren për zjarret pyjore, për të ndërhyrë në rajonin e Parisit.
Përveç dy aeroplanëve, në operacion janë angazhuar edhe dy helikopterë zjarrfikës dhe një avion vëzhgimi.
“Qëllimi është të shpëtojmë jetë dhe pronë”, deklaroi Brocardi.
Më herët, një tjetër zjarr kishte bllokuar një autostradë në lindje të Parisit dhe kishte ndërprerë qarkullimin në një linjë treni me shpejtësi të lartë në jug të Francës.
Vala e fundit e të nxehtit ka detyruar gjithashtu mbylljen e përkohshme të tre centraleve bërthamore, ndërsa organizatorët e garës çiklistike Tour de France shkurtuan me 30 kilometra etapën e së dielës për shkak të temperaturave që iu afruan 40 gradë Celsius.
