Një valë e fortë të nxehti ka përfshirë ditët e fundit pothuajse të gjithë Evropën.
Në Spanjë, pjesa më e madhe e vendit u vendos të martën nën alarm për temperatura ekstreme, ndërsa zona të jugut dhe veriut u përballën me nivelin më të lartë të paralajmërimit. Agjencia Kombëtare e Meteorologjisë (AEMET) lëshoi alarme të kuqe për rajonet përreth Kordobës në jug, Bilbaos në veri dhe disa pjesë të Kantabrisë, duke paralajmëruar “rrezik të jashtëzakonshëm”. Në disa zona të Vendit Bask, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40°C, një fenomen i pazakontë për këtë rajon.
Ndërkohë, Franca ka regjistruar natën më të nxehtë që prej fillimit të matjeve meteorologjike në vitin 1947. Sipas shërbimit meteorologjik, temperatura mesatare kombëtare gjatë natës arriti në 21.6°C, duke thyer rekordin e vendosur në vitin 2019.
Vala e të nxehtit po ndikon edhe në tregjet energjetike evropiane. Përdorimi i shtuar i kondicionerëve ka rritur kërkesën për energji elektrike, ndërsa mungesa e erërave ka ulur prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Situata është përkeqësuar më tej nga mbyllja e përkohshme e një centrali bërthamor në Francë, për shkak të temperaturave të larta që kanë kufizuar furnizimin me ujë ftohës. Kompania EDF njoftoi se centrali pritet të rikthehet në funksion javën e ardhshme.
Si pasojë, çmimet e energjisë kanë shënuar rritje të ndjeshme në disa vende evropiane. Në Gjermani, çmimi me shumicë pritet të arrijë 545.51 euro për megavat-orë, niveli më i lartë që nga qershori 2024. Në Francë ai pritet të jetë 268.67 euro për megavat-orë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar rreth 230 paund për megavat-orë.
Vala e të nxehtit po zhvendoset drejt Evropës Lindore. Në Poloni, temperaturat pritet të arrijnë deri në 38°C në Varshavë dhe 41°C në rajonin e Silezisë së Poshtme, me rrezik për thyerjen e rekordeve historike.
Autoritetet polake u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell, të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të kufizojnë qëndrimin në ambiente të hapura.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, shërbimet zjarrfikëse kanë paralajmëruar rrezik të shtuar për zjarre në pyje dhe kanë kërkuar shmangien e barbeque-ve dhe çdo aktiviteti që mund të shkaktojë flakë në kushte të thata dhe të nxehta.
Ekspertët e klimës paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë gjithnjë e më të shpeshta temperaturat ekstreme. Sipas organizatave mjedisore britanike, këto fenomene po ndikojnë në shëndet, transport dhe jetën e përditshme, duke shtuar nevojën për masa urgjente përshtatëse.
Në Londër, stuhitë e forta pas temperaturave të larta shkaktuan përmbytje dhe ndërprerje në transportin publik. Brigada e Zjarrfikësve raportoi qindra thirrje emergjente gjatë natës, ndërsa qytetarëve iu kërkua të shmangin zonat e përmbytura.
