Bashkia e Shkodrës ka mbetur pa kryetar pasi Valdrin Pjetri u dogj nga formulari i dekriminalizimit. Pjetri thotë se kërkon një shans të dytë.
“Isha 19 vjeç student kur u kapën 2 shokët e mi. U bë kontroll banesë dhe u gjetën 2 gram hashash, por unë s’kisha dijeni pasi jetonim në një shtëpi me shumë shqiptarë”, u shpreh ai për Tv Klan.
Pjetri tregon se pavarësisht se nuk kishte lidhje me hashashin e gjetur në banesën ku jetonte me shokë të tjerë shqiptare, pas këshillimit me avokaten e zgjedhur kryesisht nga shteti Italian e cila i sugjeronte të pranonte akuzën që çështja të mbyllej pa vonesë pasi në të kundërt procesi do të zgjatej, firmosi.
“Pas presionit isha vetëm 19 vjeç firmosa, që s’kisha lidhje e tregon dhe ky dokument ku polici dëshmon në gjykatë”, tha ai.
Në vitin 2012 Pjetri i cili punonte në Ministrinë e Financave, i kërkon gjykatës së Firences rehabilitim për veprën e procedura në 2003, çka sipas tij u mor parasysh duke fshirë nga dosja penale e tij në Itali këtë procedim.
“Pas kësaj dëshmia ime e penalitetit si në gjykata dhe prokurori dilte e pastër”. Pas kësaj sipas tij nuk kishte detyrim ta deklaronte këtë procedim të 16 viteve më parë në formularin e dekriminalizimit.
Dokumentet e publikuara nga PD pretendon se janë nxjerrë në mënyrë abuzive dhe antiligjore nga kuestura e Firences. Rrëfimin e tij Pjetri zgjedh ta bëjë jo pa qëllim kur presidenti ka vendosur datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale edhe në bashkinë e Shkodrës. Ai kërkon një shans të dytë tani që gjykatat shqiptare i dhanë të drejtë.
“Pse jo, mund të kem një tjetër shans nëse kam mbështetjen e socialisteve”, tha Pjetri.
