Komisioni Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit është mbledhur sot për të nisur diskutimet dhe jo vetëm në lidhje me zgjedhjet parlamentare, të cilat Partia Demokratike i konsideron ‘masakër zgjedhore’. I pari në mbledhjen konstituuese foli kryetari i komisionit Enkelejd Alibeaj, por pas tij e mori fjalën Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Ky i fundit tha se bazuar në ligjin përkatës asnjë prej anëtarëve zëvendësues nuk duhet të marrë pjesë në këtë mbledhje dhe në asnjë mbledhje tjetër ku nuk është e nevojshme. Sipas Bardhit në total duhen 15 persona në mbledhje, ndërkohë që ishin 16 bashkë me anëtarin zëvendësues, Etjen Xhafaj.
“Shikoj që jemi 16 anëtarë, duhet të jemi 15, vetëm anëtarët përkatës, një nga të maxhorancës duhet të largohet. Anëtarët zëvendësues nuk mund të marrin pjesë,”- tha Bardhi.
Pas Bardhit, sërish e mori fjalën Alibeaj, i cili i dha të drejtë parafolësit.
“Siç e tha dhe zoti Bardhi, në mbledhje nuk mund të marrë pjesë asnjë anëtar zëvendësues. anëtarët zëvendësues marrin pjesë kur një nga anëtarët e përcaktuar nuk është prezent, dhe sot nuk bëhet fjalë për këtë gjë. Kështu që zoti Xhafaj, ju mund të rrini sot në mbledhje, por nuk keni të drejtë të merrni pjesë në diskutime,”- tha Alibeaj.
