Partia Socialiste erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit 2013 pas 8 viteve qëndrim në opozitë. Kryeministri Edi Rama prezantoi para shqiptarëve qeverinë e tij të parë, figurat dhe emrat e së cilës nuk ishin surprizë për shumëkënd që ndjek politikën. Njerëz që vinin nga radhët e të majtës, emra që ishin afruar më Partinë Socialiste në opozitë dhe ishin rritur e ndërtuar një profil të caktuar gjatë atyre 8 viteve erdhën në qeverisje. Askush nuk u çudit me propozimin e Niko Peleshit si numri dy I qeverisë së Edi Ramës duke parë mbështetjen e madhe që kryeministri i kishte dhënë në Korçë gjatë mandatit të tij si kryetar bashkie. Njësoj nuk ngjalli habi emri i Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm, ndonëse në një moshë fare të re. Tahiri ishte një figurë që i ngjiti shkallët e karrierës politike brenda PS falë ambicies personale dhe mbështetjes së padiskutueshme nga kreu i partisë.
Damian Gjiknuri, një tjetër ministër i kabinetit “Rama 1”, i cili kishte një kontribut jo të vogël në Partinë Socialiste si drejtues i ekipit të juristëve të kësaj force politike, bashkëdrejtues në disa komisione parlamentare për reformën zgjedhore. Gjiknurit iu besua një nga ministritë më të rëndësishme të qeverisë, ajo e Energjetikës. Brenda së njëjtës llogjike ishte dhe zgjedhja e personave për drejtimin e Ministrisë së Jashtme dhe të Mbrojtjes. Ditmir Bushati, drejtues i Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian, dhe njohës i mirë i këtij procesi, një zë i fort publik u pa në atë kohë si emri i duhur për këtë dikaster të një rëndësie të vecantë për prezantimin e vendit ndërkombëtarisht. Mimi Kodheli dhe Lindita Nikolla, bashkëpunëtore të hershme të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës dhe më tej dhe në opozitë u zgjodhën si dy femra të cilat kishin ndërtuar staturën e tyre politike dhe emërimi I tyre në krye të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Arsimit nuk u pa me dyshim apo me kritikë prej askujt. Erion Veliaj, djali që e nisi karrierën politke nga lëvizja MJAFT, në atë kohë opozitë e qeverisë së majtë të drejtuar nga Fatos Nano. Veliaj u afrua në PS, në fillim si aleat koalicioni dhe më tej dhe si emër i listave të kësaj force politike.
Emra të tjera si Arben Ahmetaj, Shkëlqim Cani, Eglantina Gjermeni, Mirela Kumbaro, ishin të gjithë emra dhe personalitete që nuk “çuditën”, përsa kohë të gjithë njohin sado pak kryeministrin dhe kanë parasysh dëshirën e tij për të “befasuar”.
Kabineti “Rama 2”, nëse biem dakord të mos ndalemi tek disa lëvizje të kabinetitit të parë, të cilat gjithsesi nuk ndikuan në thelbin e kabinetit, ishte padiskutim një surprizë për shqiptarët. Vendosja e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit u pa si një lloj “begenisje”, që po i bëhej kreut të gardës së vjetër të PS që është në mbyllje të karrierës politike. Ndërsa emërimi i Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme, më shumë se shpërblim për vitet e tij në politikë, ishte kryekëput edhe një mesazh që Rama donte t’i përcillte Ambasadës Amerikane në vendin tonë duke vendosur “njeriun e tyre” që udhëhoqi Reformën në Drejtësi. Krahas rikonfirmimit në detyrë të disa ministrave në portofolet më të rëndësishme si Gjiknuri, Ahmetaj, Bushati, Nikolla, kryeministri Rama solli dhe disa figura të reja në drejtimin e ministrive në kabinetin e tij. Këtu bëjnë pjesë Ministrja e Shëndetsisë Ogerta Manastirliu, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka si dhe zgjedhja e një figurë anonime për pozicionin e zëvëndëskryeministrit. Me këtë kabinet, Kryeministri padyshim që kishte filluar të “befasonte”, dhe jo pak.
Viti 2018 u mbyll me ndryshimet më të mëdha në kabinetin qeveritar të Kryeministrit Rama. Me llogjikën se se kishte nevojë për energji dhe frymëmarrje të re, Kryeministri largoi nga detyra ministrat të cilët kishin mbi 5 vjet në detyrë. Kjo listë preku të ashtuquajturit “superministra”, si Damian Gjiknurin i cili në mandatin e dytë, kur zgjedhjet u fituan pa LSI-në dhe ndërsa ministritë u ristrukturuan mori drejtimin edhe të transportit publik veë energjetikës. Arben Ahmetaj një tjetër “supërministër”, Ditmir Bushati, Lindita Nikolla, Mirela Kumbaro, Niko Peleshi, etj, u larguan nga detyra dhe u zëvëndësuan me emra pa një profil politik. Sot, nga Partia Socialiste padiskutim që ka të ngarkuar dhe mërzitur, njerëz të cilët ndoshta i humbën shpresat se një ditë do të jenë ministra. Por, nga ekipi i opozitës së dikurshme socialiste, nga qeveria e 2013-ës, vetëm një përson është akoma në qeverisje, përvec kryeministrit të vendit. Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës është ndër të vetmit njerëz që nuk është prekur nga ujrat e trazuar të qeverisë gjatë këtyre viteve. Nga detyra e tij si ministër për Mirëqënien Sociale, Veliaj garoi dhe fitoi drejtimin e Bashkisë më të madhe në vend. Zgjedhjet lokale të 30 qershorit janë në prag dhe kjo padiskutim do të jetë një tjetër betejë interesante për të parë si do të lëvizin apo ndërtohen balancat brenda radhëve të Partisë Socialiste. / tirananews.al